Bogujevci në Parlamentin e KiE-së tregon shenjat në duar të shkaktuara nga plumbat e ushtrisë serbe

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, në debatin e mbajtur në Parlamentin e Këshillit të Evropës për situatën në veri të Kosovës pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, i është kundërpërgjigjur anëtares serbe Biljanta Pantiq, duke ia treguar shenjat në duar që i ka nga plumbat që kishte marrë nga ushtria serbe si 13-vjeçare.

Bogujevci tregoi për përjetimin e saj të tmerrshëm, ndërsa tha se autorët e atij sulmi ende udhëheqin shtetin e Serbisë.

Në masakrën më 28 mars të vitit 1999 u vranë nga njësi paraushtarak serb “Akrepat” 16 anëtarë të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu. Ndërsa Saranda Bogujevci iu mbijetoi 16 plumbave.

“25 vjet më parë si 13-vjeçare i kam mbijetuar një masakre të ushtrisë serbe, që atëbotë ishte udhëhequr nga njerëzit që ende udhëheqin Serbinë tash. Si 13-vjeçare unë mbeta e shtrirë në një grumbull të trupave të familjes sime me 16 plumba. Sot kam ende këto shenja në dorë, e pjesët tjera të trupit tim. E të shoh 25 vjet pas, që vazhdimisht sulmohemi verbalisht dhe në mënyra tjera, së fundi edhe me sulm terrorist, është e papranueshme. Mjaft është mjaft. Kurrë nuk ka pasur kërkim falje, nuk ka pasur asgjë të ndërmarrë për të sjellë drejtësi, jo vetëm për atë çfarë ka ndodhur atëherë, por edhe tash. Njerëzit që kryen sulm terrorist më 24 shtator janë në Serbi, e nuk po gjykohen”, tha Bogujevci.

Përfaqësuesja serbe kishte pretenduar se “po bëhet spastrim etnik në Kosovë” dhe se i gjithë faji është “i regjimit të Albin Kurtit”.

E deputeti i Kuvendit të Kosovës, Arben Gashi, nga radhët e LDK-së, ka thënë se ajo çfarë ka ndodhur më 24 shtator në Banjë ishte sulm terrorist dhe se “Serbia i ka armatosur e përkrahur pjesëtarët e grupit paramilitar”.

Lexo edhe:  Familjari i Artan Zymberit që vdiq në burgun e Serbisë: Ai u torturua, pavioni i burgut u dogj me 21 nëntor

Ai ka bërë thirrje për hetim ndërkombëtar “për kampet në Serbi ku stërviten terroristët”.

Gashi po ashtu i ka bërë thirrje Serbisë të largojë trupat ushtarake nga kufiri me Kosovën.

“Prezenca e trupave ushtarake serbe në kufi me Kosovën ka potencial që ta përshkallëzojë situatën e të rrezikojë paqen fragjile në rajon”, tha Gashi.

Ai ka thënë se dialogu paqësor dhe diplomacia janë mjetet më efikase për të zgjidhur mosmarrëveshjet.