Defekti në veturë i detyroi të ndalen, çiftit nga Arabia hajnat ia vjedhin çantat e paratë në Veternik

Hajnat në Kosovë përveç shtëpive e biznese të ndryshme që i kanë cak për t’i bërë qyl, siç duket janë në gjendje edhe të shfrytëzojnë fatkeqësinë e dikujt, që të ‘kapin’ sado pak para e gjësende me vlerë.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Veternik, kur dy shtetas të huaj që po udhëtonin nga me veturën e tyre, u përballën me disa të dyshuar që ua vodhën paratë e gjësende të tjera, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se çifti nga Arabia Saudita fillimisht uballafaquan me një defekt në veturë, për çka u detyruan të ndalen në mes të rrugës, me ç’rast hajnat që po i përcillnin arritën t’ua vjedhin çantat.

Njëri prej tyre tashmë ka rënë në prangat e Policisë dhe sipas informacioneve që ka Sinjali bëhet fjalë për H.Shishko, nga Prizreni, i cili është arrestuar gjatë ditës së shtunë.

Pasi përfundoi në prangat e Policisë, i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe dorëzimin e kallëzimit penal.

Njësitet policore kanë kryer bastisje edhe në banesën e të dyshuarit, ndërkohë që tashmë janë mbledhur prova që dëshmojnë përfshirjen e tij në këtë rast të vjedhjes.

Arrestimi i tij dhe nisja e hetimeve për zbulimin e rastit erdhi si rezultat i denoncimi nga ana e dy shtetasve të Arabisë, të cilët kërkuan ndihmën e Policisë së Kosovës, ku raportuan që ishin cak i hajnave

Lexo edhe:  Humb jetën shqiptari në Itali, u aksidentua me motor