53-vjeçari në Mitrovicë rrah brutalisht fqinjin e tij, i riu dërgohet me lëndime të rënda në spital

Mosmarrëveshjet mes fqinjëve jo rrallëherë eskalojnë në përleshje e kanosje serioze dhe përfundojnë si raste në Polici, ku kërkohet ndihmë.

Telashe të tilla mes kosovarëve janë mjaft të shpeshta dhe motivet shumë herë dalin të jenë zënkat momentale.

Një rast i tillë ka ndodhur dje në Mitrovicë, ku një person dyshohet se ka sulmuar brutalisht fqinjin e tij.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 53-vjeçari e ka rrahur të riun, duke i shkaktuar atij lëndime të rënda trupore. E sebep për këtë, dyshohet se u bë fakti që 22-vjeçari ka kaluar afër shtëpisë së të dyshuarit.

I riu është dërguar me urgjencë në spital, ku pas ekzaminimeve mjekësore është konstatuar se ai ka pësuar frakturë.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë arrestuar të dyshuarin.

53-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.

Me urdhër të prokurorit, ai do të hetohet në liri për veprën penale ‘Lëndim i rëndë trupor’.

Lexo edhe:  Aksidenti te ‘Lesna’ ku u godit një person, këmbësori akoma në gjendje të rëndë