Hajnat futen në lagjen Qëndresa, vjedhin televizor, llaptop e pajisje në vlerë të 8 mijë eurove në një shtëpi

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri. Shpeshherë cak i hajnave janë shtëpitë nëpër fshatra e qytete, por së fundmi ata ia kanë mësyrë edhe lagjeve luksoze në Prishtinë dhe përreth kryeqytetit.

Rasti i fundit ka ndodhur në lagjen Qëndresa në Veternik, ku hajnat kanë bërë kërdi në një shtëpi. Të dyshuarit arritën të marrin gjësende me vlerë nga shtëpia e një qytetari që banon në këtë lagje.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se hajnat kanë arritur të depërtojnë me forcë në shtëpi, duke marrë pajisje të ndryshme, stoli, e gjësende tjera, që kapin vlerën e rreth 8 mijë euro.

Rasti është denoncuar në Polici nga pronari i shtëpisë, që ka dhënë detaje se si hajnat u futën brenda duke thyer derën, derisa familja nuk ndodhej aty, periudhë kjo që u shfrytëzua nga të dyshuarit.

Me t’u denoncuar rasti, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, ndërkohë që janë ndërmarrë veprimet hetimore për të identifikuar të dyshuarit.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen personat që dyshohen se kanë kryer veprën.

Lexo edhe:  E dhimbshme: Ky është 51-vjeçari që dyshohet se i dha fund jetës së tij në Pejë