Hetuesi policor në Gjakovë dëshmitar i të shtënave me armë, dështoi ta denoncojë rastin

Të shtënat me armë në ahengjet në Kosovë janë dukuri e shpeshtë, të cilat përveç se janë të kundërligjshme, shumë herë janë edhe të rrezikshme.

Ka disa raste kur nga të shtënat festive, kanë pësuar edhe me jetë qytetarët e pafajshëm, madje edhe ata që nuk ishin pjesë e ahengjeve, shkruan Gazeta Sinjali.

E shtëna me armë përbën vepër penale dhe secili qytetar ka për detyrim ta raportojë në Polici. Ky detyrim është obligativ sidomos për zyrtarët policorë, të cilët pavarësisht kohës apo vendit, kanë autorizime policore 24 orë.

Mirëpo, një detyrim i tillë rezulton se është shpërfillur nga Driton Beqiraj, hetues në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjakovë, i cili ishte pjesëmarrës në një ndejë ku para syve të tij pati të shtëna me armë, raporton Sinjali.

Sinjali për këtë rast ka siguruar edhe pamje ekskluzive, të cilat e vërtetojnë se Beqiraj ishte dëshmitar i të shtënave me armë.

Lidhur me rastin, tashmë edhe Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetimet dhe një gjë e tillë është konfirmuar në një përgjigje për Sinjalin.

Nga IPK kanë deklaruar se rasti po trajtohet në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë.

“Ju informojmë se Inspektorati Policor i Kosovës (tutje IPK), me të pranuar informatat ka angazhuar hetuesit e sajë të cilët kanë bërë identifikimin e zyrtarit policor dhe janë duke e trajtuar këtë informacion në koordinim dhe bashkëpunim të plotë me prokurorin përgjegjës andaj e konfirmoj se jemi në hetim paraprak dhe se deri në këtë fazë nuk mund të ndajmë më shumë informacione për shkak të hetimit te rastit”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

 

Lexo edhe:  Mbyllet manastiri i Banjskës, kjo është arsyeja