E tmerrshme: Gjakovari ia zë pritën ish gruas, e fut në veturë dhe i hyn dajak

Shpeshherë për çiftet kosovare telashet nuk marrin fund me shkurorëzim.

Shumë nga ta vazhdojnë të kenë probleme me ish-partnerët e tyre, të cilët nuk arrijnë ta pranojnë ndarjen. Si pasojë e konflikteve të vazhdueshme janë gratë ato që kryesisht kërkojnë ndihmën e Policisë.

Një rast i tillë ka ndodhur dje në rrugën “Ismail Qemali” në Gjakovë, ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj ish gruas me të cilën kanë bashkëjetuar për një periudhë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari fillimisht ia kishte zënë pritën viktimës, e më pas e ka futur me dhunë në veturë, ku edhe e ka rrahur.

Përballë kësaj situate, ajo tentoi të largohej, por u ballafaqua sërish me veprimet e tij agresive.

Posa rasti u denoncua në Polici, i dyshuari është identifikuar, por akoma nuk është siguruar prezenca e tij.

Me t’u përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Pas kritikave për flamurin serb, Lorik Cana i del në mbrojtje Rita Orës