Hajgare?: Subvencionet për izolim të shtëpive, njëherë investoni, tani ua japim paret

Interesimi i madh nga qytetarët ka bërë që të mbyllet pesë ditë më herët aplikimi për thirrjen publike “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit”. Pavarësisht se kjo thirrje u mbyll para kohe, nuk konsiderohet shkelje ligjore. Kështu deklaron për KosovaPress, Fillojetë Konjuhi nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE). Megjithëse, qytetarët duhet të nisin investimin me paratë e tyre e në fund do të subvencionohen.

Përmes këtij projekti ku do të përfitojnë rreth 2 mijë familje, qytetarët përfitues të do e kenë mundësinë për subvencionim të termoizilimit të mureve të jashtme, të kulmeve, si dhe ndërrimit të dritareve dhe dyerve të jashtë për 45 për qind të vlerës së investimit, deri në 5 mijë e 500 euro.

Në një intervistë për KosovaPress, Konjuhi thotë se letrat e para të para aprovimit tashmë veç janë lëshuar nga Fondi i Kosovës për Efiçencë të Energjisë dhe ato vazhdimisht do të lëshohen tek qytetaret në bazë të aplikimeve, radhës së tyre.

Mes tjerash, Konjuhi tha se vetëm në 13 ditët e para të thirrjes, kanë aplikuar mbi 2 mijë qytetarë me raport dhe qindra të tjerë pa raport të auditorit.

“Qytetaret në 13 ditët e para kanë arritur që të jenë mbi 2 mijë aplikime me raport auditorit dhe qindra të tjera pa raport të auditorit që vendosen në listën e pritjes… Qytetarët gjatë aplikimit kanë shënuar edhe vlerën e investimit të tyre d.m.th që është parallogaritur nga auditorët dhe në mënyrë automatike është bërë ndarja e 45 për qind, e cila i bie që të subvencionohet nga Fondi. Në këtë formë janë akumuluar ato 45 për qind për të gjithë aplikuesit dhe në momentin e arritjes së kuotës buxhetore është mbyllur aplikimi në mënyrë automatike”, thotë Konjuhi.

Lexo edhe:  Shpërthen në lot ministrja Haxhiu, në varrimin e gruas shtatzënë që u vra nga ish-burri

Ndonëse thirrja për aplikim është mbyllur më herët, Konjuhi thotë se nuk është shkelje ligjore.

“Në këtë thirrje është specifikuar se Fondi ruan të drejtën që të mbyll thirrjen publike para datës së përcaktuar në rast se arrihet kuota buxhetore e përcaktuar për këtë thirrje publike”, vijoi Konjuhi.

Qytetarët përfitues do të duhet që t’i bëjnë investimet vetë e më pas, nëse i kanë respektuar kushtet dhe pas verifikimet nga komisioni përkatës, do të marrin paratë nga subvencioni.

“Të gjithë qytetarët pasi kanë aplikuar duhet të presin një përgjigje nga Fondi i Kosovës për Efiçencë të Energjisë. Të gjithë ato aplikime që janë në rregull marrin një letër të para aprovimit të cilën duhet ta nënshkruajnë dhe ta kthejnë në Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë. Në momentin se këta qytetarë e marrin dritën e gjelbër se mund të fillojnë punimet, atëherë ata kanë kohë deri në gjashtë muaj që të kryejnë këto punime. Kur ata konsiderojnë se kanë kryer punimet, atëherë lajmërojnë Fondin dhe dërgojnë të gjitha dokumentet të cilat janë të kërkuara në bazë të thirrjes publike, që dëshmojnë kryerjen e këtyre punimeve, pastaj Fondi i Kosovës për Efiçencë të Energjisë dërgon për verifikim ekipet e tyre, për të parë nëse këto punime janë kryer ashtu siç ka aplikuar qytetari dhe për çfarë e ka marrë letrën e para aprovimit. Në rast se Komisioni vlerëson se këto punime janë kryer sipas kësaj marrëveshje, atëherë fillon procedura e disbursimit”, thotë Konjuhi.

E pyetur nëse dihet numri i të aplikuarve që kanë filluar t’i marrin përgjigjet e para aprovimit, Konjuhi thotë se ende nuk ka vlera specifike, porse shton, se të parët që kanë aplikuar kanë filluar të marrin letrat e para të para aprovimit.

Lexo edhe:  Temperaturat e ulëta, bie borë në disa pjesë të Kosovës

“Nuk mund të them vlera specifike sa kanë arritur ta marrin konfirmimin për arsyeje se Komisioni është duke punuar vazhdimisht mbi parimin i cili është përcaktuar në thirrjen publike që qytetarët të cilët kanë aplikuar të parët dhe i plotësojnë kriteret marrin përgjigje të parët. Por, letrat e para të para aprovimit tashmë veç janë lëshuar nga Fondi i Kosovës për Eficiencë të Energjisë dhe ato vazhdimisht do të lëshohen tek qytetaret në bazë të aplikimeve, radhës së tyre”, thotë mes tjerash Konjuhi.

FKEE do të ofrojë një subvencion prej 45 për qind të kostos së investimit, e kufizuar në shumën prej 5 mijë e 500 euro, për zbatimin e masave të Efiçiencës së energjisë. Shuma e subvencionimit varet nga paramasa dhe parallogaria e aprovuar nga FKEE, për masat të cilat paraprakisht auditori i energjisë i ka konfirmuar në raportin e auditimit.

Kriteri bazë i këtij subvencioni ishte që shtëpia të jetë e banueshme, dhe në 21 nga 24 muajt e fundit, ka konsum të energjisë elektrike prej së paku 250 kilovat orë për muaj.

Ky projekt është mbështetur nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit IPA – Pako për Mbështetjen e Energjisë, i aranzhuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe i zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.