62-vjeçari në Suharekë e rrah gruan me të cilën po bashkëjeton, thotë se nuk sillej mirë me vajzën e tij

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes.

Ndihmën e Policisë e ka kërkuar gjatë ditës së djeshme edhe një grua nga fshati Leshan i Suharekës, e cila e ka raportuar burrin me të cilin po bashkëjeton qe disa muaj.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se viktima ka deklaruar se i dyshuari e ka sulmuar fizikisht gjatë ditës së djeshme, pasi burri e ka akuzuar gruan se nuk ka pasur sjellje të mira me vajzën e tij.

Përballë kësaj situate, viktima e ka raportuar rastin para se të ndodhë diçka më e keqe.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është përballur me denoncimin kundër tij.

Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij kanë nisur hetimet për veprën penale “Dhunë në familje”.

Lexo edhe:  "Duket sikur Kurti ka një skenar për të ndarë Kosovën"