Policia gjen në një banesë tek “Tre Trokaqejt” laborator droge, kriptovaluta dhe armë

Policia e Kosovës po kryen një operacion në një banesë në lagjen “Tre Rrokaqiejt” në Mitrovicë të Veriut, në bazë të informacioneve se aty ka laborator droge.

Këtë e ka konfirmuar për Portalin Dukagjini, zëvendësdrejtori rajonal për veriun, Veton Elshani, i cili tha se gjatë aksionit janë konfiskuar edhe armë.

Ai ka thënë se i dyshuari serb nuk ka qenë në shtëpi gjatë kontrollit të policisë, në të cilën janë konfiskuar pajisje për laborator [droge], për kriptovaluta, shok-bomba, armë, municione.

“Banesa është shfrytëzuar nga S.M. [shtetas i Kosovës i nacionalitetit serb] janë gjetur dhe konfiskuar 60 kartela grafike, makina anti-miner S9, 13 ventilatorë, poça elektrik që shfrytëzohen për rritjen e bimëve të kanabisit, llambë elektrike për laborator, 51 fishekë , tetë shok-bomba të modifikuara. I dyshuari nuk ka qenë aty”, ka thënë Elshani.

Në shkurt të këtij viti policia zbuloi tre laboratorë droge në Mitrovicë të Veriut.

Po ashtu, në maj të vitit të kaluar, policia kishte shkatërruar dy laboratorë droge në Izvor, afër kufirit me Serbinë, ku ishin gjetur edhe sasi të mëdha të bimëve narkotike, të llojit marihuanë. Në prill të atij viti, ishte shkatërruar një laborator droge në Zveçan dhe ishin arrestuar katër serbë.

Autoritetet e rendit gjithashtu kanë kryer disa aksione në Kosovë – përfshirë në veri – kundër mihjes së kriptovalutave.

Lexo edhe:  Rreth 30 persona në Malishevë dyshohet se janë helmuar nga ushqimi