Ky është i riu që sulmoi policin jashtë detyrës zyrtare në Prizren, përfundon në ndalim policor

U raportua sot për një incident që ka ndodhur në rrugën “Suzi Qelebi” në Prizren, kur shoferi i një skuteri po dyshohet se është kapur me një zyrtar policor, i cili ishte jashtë detyrës zyrtare, të cilin e ka sulmuar fizikisht. I riu ka përfunduar në Policia dhe ndaj tij tashmë kanë nisur hetimet.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Arjonit Morinën, 19-vjeçar, ndaj të cilit është nxjerrë urdhër për ndalim policor.

Sipas informacioneve të para, incidenti ka ndodhur në orët e mbrëmjes, kur i dyshuari, 19-vjeçar, derisa ishte me skuter, ka pasur një mosmarrëveshje me policin, si këmbësor, të cilin më pas e ka sulmuar me grusht.

Sinjali mëson se viktima nuk është prezantuar para të dyshuarit si zyrtar policor, pasi siç ka deklaruar, i riu është hedhur menjëherë në sulm.

Posa rasti është denoncuar, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendime për ndalim dhe ka urdhëruar dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor.

Rastin e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia Rajonale në Prizren.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Inspektorati nxjerr vendim për suspendimin e tri punëtoreve që keqtrajtuan 3-vjeçarin në kopsht