Përleshja mes familjeve Merovci e Uka në Vushtrri: 63-vjeçari që rrahu mikun del para gjykatës

Përleshjet mes miqve e familjarëve në vendin tonë nuk janë të rralla. Për motive të ndryshme, shumë prej tyre përfundojnë në Polici, ku kërkojnë ndihmë për zgjidhjen e telasheve. Gazeta Sinjali raportoi se një rast i tillë ka ndodhur edhe para dy ditësh në Vushtrri, ku disa persona, u përfshinë në një rrahje.

I dyshuari 63-vjeçar që sulmoi viktimën, me të cilën kanë miqësi familjare, sot ka dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake, ku u mor vendimi për caktimin e masës së sigurisë.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se ndaj të dyshuari A.Merovci, gjykata ka nxjerrë vendim për arrest shtëpiak, masë kjo që do të zgjasë një muaj.

Ndryshe, rasti ka ndodhur më 10 korrik, kur viktima 41-vjeçar ishte sulmuar dhe për pasojë u dërgua në gjendje të rëndë në Emergjencën e Vushtrrisë e më pas u transferua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka marrë veprimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

I dyshuari do të hetohet për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Shembull i mirë: Shefi kosovar në Gjermani shpërblen punëtorët me mijëra euro për fundvit