Si i humbi Kosova të gjitha mundësitë për të pasur rrymë?

Reduktimet sivjet nisën në pikë të verës dhe kjo ka alarmuar qytetarët. Agon Maliqi, ndërkaq, tregon se ku, sipas tij, gaboi Kosova, që tash është kaq e pasigurt në sigurimin e energjisë.

Opinionisti Agon Maliqi ka shkruar rreth historisë së refuzimit të burimeve energjetike, pasi dje u paralajmëruan reduktimet me rrymë në Kosovë.

Ai thotë se në Kosovë janë refuzuar ndërtimet e termocentraleve nga investitorë amerikanë dhe gjermanë. Arsyet për mosndërtimin e termocentraleve të reja, sipas Maliqi, ishin të paqëndrueshme.

Maliqi përmend edhe refuzimin e projektit amerikan për ndërtimin e gazsjellësit.

“Projektet me qymyr sot nuk t’i financon më kush, ndërkohë Kosova i refuzon edhe ato me gas, gjithmonë fisnike në pritje të tranzicionit në burime të gjelbra, duke e lënë veten në mëshirë të fatit dhe tregtarëve të energjisë në periudhën e ndërmjetme”, ka shkruar ai.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë dhe pa ndërhyrje:

Diku rreth viteve të para të pavarësisë Kosova kishte mundësi të artë për me ndërtu termocentrale të reja prej qymyrit nga investitorë seriozë prej SHBA ose Gjermanisë. Projekti dështoi pasi u sabotua me sukses nga mafia rajonale e tregtisë me energji dhe nga Rusia e interesuar për ta rritur varësinë e rajonit nga gasi. Gjithsesi, me ndihmën edhe të paaftësisë së qeverisë së asaj kohe dhe shumë njerëzve në Kosovë, shumica (por jo të gjithë) me qëllime të mira.

Argumentet që dëgjoheshin në Kosovë në kundërshtim të projektit? Kosova duhet t‘i ketë prioritet burimet alternative të energjisë, që asokohe (për dallim prej sot) akoma nuk ishin ekonomikisht të arsyetueshme. Madje thuhej se kjo do të na pengonte integrimin në BE. Flitej edhe për cilësinë e ajrit, edhepse termocentralet e reja me teknologji të kohës do të ndotnin shumëfish më pak se dinosaurët e vjetër. Flitej për kapitalizmin e pashpirtë që do me na i vjedh burimet. Pra termocentralet ishin “e keqja e madhe.”

Lexo edhe:  Kurti në nderimin e Walker me titullin “Doctor Honoris Causa”: Mik i së vërtetës, përherë edhe mik i Kosovës

Rezultati? Viti 2022, Kosova vazhdon të jetë e varur nga dinosaurë të komunizmit që mezi rrinë në këmbë, me ajër të stërndotur; e varur nga importet dhe me reduktime në mes të gushtit; e pa integruar në BE për arsye krejt të tjera. Ndërkohë që edhe vetë BE-ja nuk po e përballon tranzicionin e gjelbër në rrethana lufte pa iu rikthyer qymyrit. Projektet me qymyr sot nuk t’i financon më kush, ndërkohë Kosova i refuzon edhe ato me gas, gjithmonë fisnike në pritje të tranzicionit në burime të gjelbra, duke e lënë veten në mëshirë të fatit dhe tregtarëve të energjisë në periudhën e ndërmjetme.

Kush vjen me investu në një vend me reduktime energjie në pikë të verës dhe ku kryeministri paralajmëron mundësi lufte? Numri i 20,000 njerëzve të larguar vitin e kaluat drejt BE më duket sinqerisht i vogël.

Gjithsesi duhet të ndihemi krenarë me vigjilencën, largpamësinë dhe parimet tona konsistente përmes të cilave i ndalojmë projektet dashakeqe. Sikur budallakia dhe naiviteti të ishin burim energie, sot ne e furnizonim gjithë Evropën.