Familja në Prizren në hall nga vajza narkomane, 30-vjeçarja sulmon fizikisht babanë

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.

E ndër shkaqet e shpeshta të dhunës në familje, është edhe abuzimi me alkool e substanca narkotike.

Sinjali mëson se një rast i tillë ka ndodhur në një familje në Prizren, ku një 30-vjeçare dyshohet se ka sulmuar fizikisht babanë e saj.

Sipas burimeve, 53-vjeçari është detyruar të denoncojë rastin në Polici, ku ka deklaruar se e bija është përdoruese e substancave narkotike dhe vazhdimisht bën sjellje agresive, e së fundi ka demoluar edhe orenditë shtëpiake.

Bazuar në dëshminë e tij dhënë organeve të hetuesisë, pas një konflikti me të dyshuarën, ajo e ka goditur me shqelma e grushte.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arrestuar të dyshuarën dhe e njëjta është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 30-vjeçares t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe e njëjta do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Në shenjë proteste, veteranët e UÇK-së i gjuajnë telefonat tek oborri i EULEX-it