Ky është rusi që tentoi të hyjë ilegalisht nga Serbia në Kosovë

Një shtetas rus ka tentuar që gjatë ditës së djeshme të futet përmes rrugëve ilegale nga Serbia në territorin e Kosovës. Por kjo përpjekje atij i shkoi huq, pasi u ndalua nga Policia e Kosovës dhe përfundoi në pranga.

Sinjali mëson  se i dyshuari është Igor Dimitrieviq, 37-vjeçar.

Sipas burimeve ai është ndaluar në fshatin Zërnosek të komunës së Leposaviqit, teksa po drejtonte një furgon.

Ai më pas është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ai të dërgohet në mbajtje dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kalim i paautorizuar i vendkalimeve kufitare apo i vijës kufitare’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Vidhet një veturë në parkingun e “Interex” në Prishtinë