Bossi i ‘Shell Kosova’ përfundon prapa grilave, Gjykata urdhëron masën e paraburgimit

Bossi i kompanisë ‘Shell Kosova’, Lulzim Kryeziu, i cili u arrestua pas 10 ditësh në arrati nën dyshimet për dhunë në familje, më në fund ka përfunduar prapa grilave.

Gjykata ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij prej një muaji.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke i caktuar masën e paraburgimit ndaj Kryeziut.

I njëjti nuk arriti t’i shpëtojë drejtësisë, përkundër disa tentativave.

Biznesmeni tashmë do të qëndrojë në paraburgim prej një muaji, masë kjo që nuk ishte shqiptuar në rastet e mëhershme kur ishte denoncuar.

Ndryshe, Kryeziu ishte në kërkim që nga 4 qershori dhe i njëjti u arrit që të ndalohej të martën mbrëma.

Arratisja ishte forma e vetme e Kryeziut për t’i ikur drejtësisë pasi u denoncua për dhunë në familje nga bashkëshortja dhe djali i tyre 25-vjeçar. Por, nuk pati mundësi ta shijojë gjatë lirinë, pasi organet e rendit siguruan prezencën e tij.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit urdhëroi masën e ndalimit, por i njëjti iu shmang ndalimit policor në objektet e Policisë. Kryeziu arriti ta gjejë një zgjidhje për të mos qëndruar në qeli, ndonëse po ruhet nga Policia.

Të njëjtat burime thonë se biznesmeni po e shijon këtë masë sigurie nga një spital privat në Prishtinë, ku është shtrirë për trajtim mjekësor, ndonëse s’dihet cilat janë ankesat e tij.

Kujtojmë që është hera e tretë që Lulzim Kryeziu përfshihet në veprën penale të dhunës në familje. Madje për një rast të mëhershëm ai është dënuar edhe me kusht nga Gjykata.

Dora e lirë e organeve të drejtësisë, duket që e ka ‘motivuar’ që ai të vazhdojë me veprime që bien ndesh me ligjin dhe së fundi ai u arratis për dhjetë ditë pas denoncimit nga bashkëshortja dhe djali i tij.

Lexo edhe:  Aksident i rëndë në Koshtovë të Mitrovicës, ka të lënduar