Krasniqi shkon në veri por jo në objektet e komunave, takohet me kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka vizituar sot dy kryetarët e komunave në veri të Kosovës, Ilir Pecin e Zveçanit dhe Izmir Zeqirin e Zubin Potokut.

“Sot, vizitova Zveçanin dhe Zubin Potokun, ku takova kryetarët e këtyre dy komunave, Ilir Pecin në fshatin Kelmend dhe Izmir Zeqirin në fshatin Çabër”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

“Pashë nga afër sfidat dhe vështirësitë me të cilat po ballafaqohen jo vetëm Kryetarët e komunave, por edhe qytetarët shqiptarë në këto vendbanime”.

Krasniqi e ritheksoi edhe njëherë mbështetjen e plotë të partisë ndaj Pecit dhe Zeqirit.

“Të dy kryetarët i falënderova për përkushtimin, sakrificën dhe vullnetin, që, përkundër kushteve jo adekuate, detyrën e tyre ta ushtrojnë me durim, përgjegjësi dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke kontribuar në paqe dhe shtensionim të situatës në komunat e tyre”.

“Para se gjithash, sot, Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci janë në shërbim të qytetarëve, të komunave të tyre dhe të shtetit të Kosovës. Dhe, për këtë, ata gëzojnë mbështetjen e plotë timen dhe të Partisë Demokratike të Kosovës”.

Lexo edhe:  Rrahu dhe dhunoi bashkëshorten në Slloveni, paraburgoset malishevasi