Shpërthen në lot drejtoresha e shkollës ku u vra 15-vjeçari në Gramsh: Ishte fëmijë shembullor
Një ngjarje e rëndë u regjistrua mesditën e sotme në Gramsh, pranë shkollës 9-vjeçare “Asllan Shahini, ku 5 adoleshentë u përfshinë në një sherr që përfundoi në përdorimin e thikës. Viktimë e përplasjes mes të rinjve mbeti 15-vjeçari Fatjon Bici, i cili nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë në spital.
I plagosur mbeti dhe kushëriri i tij, Marko Liçi, i cili është transportuar në Tiranë.
Drejtoresha e shkollës, Ardiana Hasa tha në një intervistë për Euronews Albania se është shumë e prekur nga ngjarja dhe se adoleshenti i përfshirë në konflikt nuk ishte nxënës problematik.
Me lot në sy ajo tregoi se si e kishin njoftuar për ngjarjen dhe dhimbjen e jashtëzakonshme që kishte përjetuar për një fëmijë si Fatjoni, që siç tha ishte shembullor.
“Fatjoni ka mbaruar orën e gjashtë të mësimit, ka pasur fizkulturë, ka dalë nga palestra bashkë me mësuesin e fizkulturës, ka takuar roje dhe e ka pyetur për motrën e tij nëse ka ikur apo jo në shtëpi. Pas 20 minutash më merr dikush në telefon dhe më thotë të është vrarë një nxënëse. Nuk di të them çfarë përjetova, shkova menjëherë në spital dhe më thotë mjeku që Fatjoni kishte mbaruar. Dhimbja ishte e jashtëzakonshme. Po më mbyt dhimbja, na kanë marrë jetën e një fëmije shembullor. Nuk kam qenë kurrë në dijeni që mund të ketë qenë i përfshirë në ndonjë konflikt. Para një jave prindërit e tij kërkuan të tërhiqnin letrat pasi do iknin në Greqi, dhe jam ndjerë e keqardhur që një djalë si Fatjoni do largohej. Jam e tronditur. Për 9 vite në atë shkollë, asnjëherë nuk ka qenë fëmijë problematik”, tregoi ajo.