Tragjedia në Valbonë, Zhegrova: Viktimat dyshohet se ranë nga 150 metra lartësi
Ilir Zhegrova, anëtar i Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës, ka dhënë detaje në lidhje me incidentin që ua mori jetën dy turisteve të huaja në Valbonë.
Zhegrova, i cili ndihmoi në nxjerrjen e viktimave nga humnera, tha se dyshohet se turistet ranë nga 150 metra lartësi.
“Dyshohet se kanë rënë nga 150 metra lartësi. Kalimin e kanë pasur prej anës së Thethit dhe në Qafën e Valbonës kanë bërë rrëshqitjet ku kanë rënë 150 metra poshtë”, ka thënë Zhegrova për Edicionin Special në Klan Kosova.
Ai theksoi se janë rrezikuar edhe ekipi i kërkim-shpëtimit gjatë nxjerrjes së trupave të viktimave, për shkak të rrëshqitjes së dheut dhe terrenit me borë e akull.
Zhegrova bëri të ditur se edhe një burrë, i dashuri i njërës prej viktimave, ka pësuar lëndime nga incidenti.