Dhuna në familje s’ka të ndalur: I riu nga Drenasi e bën për spital gruan, përfundon në ndalim

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare.

Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë  në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.

Në Polici kanë përfunduar dje pasdite edhe një çift nga fshati Korroticë e Epërme në Drenas, pasi burri dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se me rastin e denoncimit, viktima ka dhënë dëshminë e saj para hetuesve policore, ku ka deklaruar se burri i saj kishte ushtruar dhunë, duke e sulmuar fizikisht me grushte, për çka i ka shkaktuar lëndime trupore, por edhe shqetësim të madh.

Si rezultat i raportimit, njësitë policore kanë intervenuar, me ç’rast gruaja është dërguar për tretman mjekësor, kurse i dyshuari është arrestuar.

Pas përfundimit të procedurave policore, me vendim të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Mori taksinë nga Prishtina për në Malishevë, 33-vjeçari arrestohet pasi iku pa paguar