Sirena e bllokim të rrugëve, KFOR-i del në Mitrovicë të Veriut

Pas raportimeve për bllokim të disa rrugëve në komunat në veri të Kosovës dhe lëshimit të sirenave të alarmit në atë pjesë, KFOR-i ka dalë në terren dhe po përcjell nga afër situatën.

Lidhur me sirenat e alarmit që janë dëgjuar vazhdimisht për një orë në pjesën veriore të Mitrovicës, KFOR-i është duke monitoruar situatën dhe aktualisht po mbledh informacione. Këtë lajm e kanë konfirmuar për KoSSev Zyra për Informim e Shtabit të KFOR-it.

Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë rrugën magjistrale në afërsi të pikëkalimit kufitar të Jarinjës, që gjendet në Komunën e Leposaviqit.

Po ashtu në Rudarë të Zveçanit, është vendosur një bllokadë në rrugën magjistrale Prishtinë-Rashkë. Fshati Rudarë gjendet pesë kilometra nga Mitrovica.

REL shkruan se, sipas informatave nga terreni, pasagjerët në Jarinjë po këshillohen që të kthehen në drejtim të Serbisë si dhe në rrugët magjistrale në veri të Kosovës po shihen njerëz me maska.

Qytetarët që po udhëtojnë në këtë pjesë, po përdorin rrugë alternative pas bllokadave të vendosura.

Ndërkaq, sirena janë dëgjuar në Mitrovicë të Veriut, që rëndom lëshohen kur ka ndonjë organizim.

Bllokadat vijnë një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Lexo edhe:  Parashikimi i motit për sot dhe ditëve në vijim