42-vjeçari sulmon fizikisht ish të dashurën në një lokal në Skenderaj, shkak borxhi që kishte ndaj saj

Shpeshherë burrat dhe gratë e kanë të vështirë të pranojnë ndarjen nga njëri-tjetri dhe për pasojë futen në telashe të vazhdueshme, duke mos i kursyer as kërcënimet ngacmimet e përleshjet mes tyre.

Një rast i tillë ka ndodhur pasditen e djeshme në një lokal në Skenderaj, ku u desh intervenimi i Policisë, pasi një person dyshohet se sulmoi ish të dashurën e tij, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari 42-vjeçar e ka sulmuar fizikisht ish të dashurën, e cila më pas kërkoi ndihmën e Policisë. Posa rasti është denoncuar, një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes, me ç’rast i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.

Viktima, e cila është shtetase e Shqipërisë ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi ish i dashuri i saj iu ishte vërsulur pas një zënke që kanë pasur. Mosmarrëveshjet mes tyre dyshohet se kanë lindur për shkak të një borxhi që i dyshuari ia kishte viktimës.

Pas përfundimit të procedurave policore, ndaj të dyshuarit kanë nisur hetimet për veprën penale “Sulm”, ndërsa Drejtoria e Migracionit ka marrë veprimet e nevojshme ndaj viktimës.

Lexo edhe:  35-vjeçarja që u ‘zhduk’ për 11 ditë kthehet në shtëpi në Suharekë, njofton burrin se do të jetojë me një person tjetër