Si erdhi deri te aksidenti tragjik në Podujevë?

Eksperti i komunikacionit, Nol Deda, ka folur për shkaqet që kanë mundur të çojnë në aksidentin mes një veture dhe një autobusi në magjistralen Prishtinë – Podujevë, nga ku mbetën të vdekur një burrë e grua, që ishin duke ardhur nga mërgimi, ndërkohë që dy fëmijët e tyre po vazhdojnë trajtimin mjekësor.

Deda ngriti dyshimet se “gropat goditëse” mund të kenë qenë shkaktare e aksidentit.

“Në rrugën ku është e papërfunduar, ekzistojnë ato që i quajmë “gropa goditëse”, të cilat nuk vërehen fare natën, dhe kalimi i automjetit në bazë të tyre, e çrregullon psiqikisht drejtuesin e automjetit, madje edhe ia humb drejtimi, dhe drejtuesi i automjetit nuk e ka më kohën e reagimit për sistem frenimi”, u shpreh ai.

“Janë raste komplekse këto të natës, nuk janë sikur të ditës, ka elemente shtesë me të cilat duhet marrur”.

Tutje eksperti i komunikacionit ngriti shqetësimin se në muajt qershor, korrik dhe gusht, ndodhin më së shumti aksidente, kohë kjo kur mërgata ia mësyn Kosovës.

Mungesa e sinjalizimit po ashtu u përmend si një shkaktare.

“Përveç mungesës së sinjalizimit, është edhe mungesa e sinkronizimit të tyre, sinjalizimit horizontal dhe vertikal. Kemi edhe sinjalizim të deformuar, në momentin kur një shenjë është me koruzion, atëherë de-fakto nuk e jep mesazhin e duhur”.

Deda po ashtu tregoi se ka pasur raste kur palët e përfshira në aksident kanë paditur në gjykatë Ministrinë e Infrastrukturës, kur aksidentet kanë përfunduar me fatalitet për shkak të mungesës së sinjalistikës.

“Janë dënuar me kusht përgjegjësit nga Drejtoria e Rrugëve, të Ministrisë së Transportit”, tregoi ai.

Deda tha se nëse autobusi do të ishte në lëvizje në kohën kur u godit nga mbrapa nga vetura, pasojat do të ishin më të vogla.

Lexo edhe:  Aksident mes veturës dhe motoçiklistit në Ferizaj, një person i lënduar rëndë

“Nëse kanë qenë edhe autobusi edhe automjeti në lëvizje, nëse janë në lëvizje dhe goditet nga mbrapa, atëherë armotizimi i forcave është shumë më i vogël”, tha ai.