Avokati: Kadri Veseli mbajti kontakte me shërbimet sekrete të NATO-s, në kohën që flet aktakuza ai ishte jashtë Kosovës

Në Gjykatën Speciale, në gjyqin ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot ka folur avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson.

Në fjalën e tij, Emmerson ka thënë se Kosova po vazhdon të jetë vend ku ekzistojnë ende thashethemet e shumta për luftën, UÇK-në dhe formacionet tjera, shkruan lajmi.net.

“25 vjet pas traumës dhe trazirave, Kosova vijon të jetë një vend ku gëlon thashethemi ku qarkullojnë zëra dhe kundërzëra, e pretendime. Elementet e kësaj kulture kanë shekuj që ekzistojnë. Miti i trafikimi të organeve është një nga ato të shumta, që s’është i bazuar as në fakte. Historia e luftës është shkruar e rishkruar, në gazeta, libra e tjera, shpesh e shtrembëruar për t’u shërbyer protagonistëve të ndryshëm”, tha ai.

“Jo të gjithë personat e përfshirë në këto ngjarje janë historianë. Disa njerëz e kanë ekzagjeruar rolin që kishin në UÇK. Shpesh për qëllime të aktualitetit politik të ditës. E shpesh disa janë distancuar, sepse e dinin se veprimet e tyre mund të jenë të dyshimta. Të gjitha këto ndërlikohen nga propaganda e luftës që kanë bërë të gjitha palët gjatë vetë periudhës së konfliktit. Ngjarjet të cilat ju do t’i shihni kanë ndodhur para 25 vjetësh. Dhe me keqbesim apo jo kujtimet mund të dobësohen apo shtrembërohen. Këta faktorë, së bashku, përbëjnë një mjedis të vështirë për konstatimin e faktit në mënyrë të besueshme”, tha tutje ai.

Në këtë seancë ai foli edhe për rolin e Veselit dhe kontaktet e tij me shërbimet sekrete të shteteve të NATO-s.

“Roli i Kadri Veselit ishte një ndërlidhje me personelin e zbulimit, jo vetëm me të Shqipërisë, por edhe me ato të NATO-së që po e mbanin në vëzhgim situatën e NATO-së në Kosovë. Një prej periudhave të kyçe të konfliktit ai e kaloi jashtë Kosovës duke mbajtur lidhje me shërbimet sekrete të këtyre shteteve. Periudha e aktakuzës duhet ndarë në tri faza të ndryshme”, shtoi Emmerson.

Lexo edhe:  Kosova përfiton 4.2 miliardë euro nga “Tregu i Përbashkët” i BE-së

“Do të gjendemi përballë një panorame pështjelluese të një periudhe kaotike të historisë së një vendi të vogël të një ngjarje që ia përmbysi jetën çdo familjeje. Ndarja e provave të forta nga pretendimet e ricikluara do të jetë vështirësi. Këto pretendime kanë marrë statusin e faktit të mirëqenë.

“Ju e dini se mbrojtja në themel e kundërshton përshkrimin që prokuroria ia ka bërë UÇK-së, që nga drejtori e poshtë, apo që udhëhiqej nga individë që përgjithësisht kanë qenë anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm. Dëshmitarët në TPNJ e kanë përshkruar strukturën brenda UÇK-së që ishte horizontale, dhe jo vertikale. Ku komandantët e zonave, ushtronin nivele shumë të larta autonomie dhe e konsideronin veten se ishin në nivel autoritativ të pavarur dhe nga Shtabi i Përgjithshëm. Të përshkruash këtë organ si Shtabi i Përgjithshëm do të ishte një përshkrim i shtrembërua. Në një ushtri guerile që përbëhej nga armatime të pakta dhe individë të pastërvitur u tentua të paraqitej UÇK si një ushtri të përgatitje. Materialet përfshijnë jo vetëm aktgjykimet e TPNJ-së, por edhe tekstet e zbardhura të dëshmive që kanë dhënë dëshmitarët e mbrojtjes dhe prokurosië në ato procese gjyqësore”, tha ai.