Nisin hetimet nga policia pas vdekjes së gruas nga Rahoveci që raportoi burrin dhe vjehrrin për dhunë në familje
Policia tashmë ka nisur hetimet ndaj vdekjes së një gruaje e cila është raportuar gjatë ditës së sotme në regjionin e Gjakovës.
Kjo për shkak se gruaja ditë më parë kishte raportuar se ishte viktimë e dhunës në familje. Fillimisht gruaja ishte duke u trajtuar edhe më parë për disa probleme shëndetësore.
Më 15 mars 2023, rreth orës 08:50 një grua kishte raportuar në Policinë e Kosovës se burri dhe vjehrra kishin ushtruar dhunë ndaj saj.
Viktima pas raportimit ishte dërguar për tretman mjekësor në Spitalin e Gjakovës, ku edhe sot ka vdekur.
Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj viktima 51-vjeçare ishte dërguar në Spital dhe kishte vazhduar të trajtohej për shkak të disa problemeve shëndetësore të mëhershme.
“Sot nga Spitali Rajonal në Gjakovë jemi njoftuar se viktima ka ndërruar jetë” – ka thënë Elezaj.
Në anën tjetër, në raportin 24-orësh policor për këtë rast ishte thënë se me vendim të prokurorit, pas intervistimit, të dyshuarit ishin liruar dhe rasti kishte shkuar në procedurë të rregullt.
Përderisa, Elezaj sot ka thënë se për vdekjen e viktimës është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka marr vendim që trupi i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Tutje është treguar se rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.