Emocionuese: Pensionohet punëtori i verbër i “Ibër-Lepencit”
Pas 42 vitesh shërbimi në Ndërmarrjen “Ibër-Lepenci”, punëtori Nazmi Fejzullahu u përcoll për në pension nga kolegët e tij.
Çka e dallonte Fejzullahun nga të tjerët ishte se ai kishte humbur shikimin qysh në fëmijëri, por që në mesin e punëtorëve të “Ibër-Lepencit” ishte nga më të dalluarit.
Lajmin për pensionimin e tij e ka dhënë kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Faruk Mujka.
Ky është njoftimi i plotë i tij:
Sot me emicione të përziera pas 42 vite shërbimi, përcollëm në pension punëtorin më të dashtur në ndërmarrjen “Ibër-Lepenci”, z. Nazmi Fejzullahun.
Nazin, jeta nuk e kishte përkdhelur aspak. Qysh në fëmijëri humbi shikimin por jo edhe vizionin e njerzillëkut dhe atdhedashurisë. Me këngë tejkalonte vështirësitë e me këngë edhe sot na përshëndeti dhe nderoi.
Nazit i dëshirojmë të gjitha të mirat e kësaj bote me shpresën se shembullin e tij do ta ndjekin të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë.
Falemnderit shumë për trashëgëminë e begatshme që e ke lënë në ndërmarrjen tonë.