‘Sallamadi sistem’: Mjeku që duhej të ishte në QKUK sipas orarit, zihet duke punuar në privat

Në pasditen e së hënës rreth orës 17:00, inspektorët shëndetësorë, e gjetën urologun A.N duke punuar në një ordinancë private, gjatë kohës sa ishte në orar të punës në klinikën e Urologjisë në QKUK.

Inspektorët shëndetësorë këtë e konfirmuan pasi inspektuan specialistin dhe vendin e tij të punës në sektorin privat.

A.N ishte kujdestar qysh nga ora shtatë e mëngjesit të hënën deri në orën e njëjtë në mëngjesin e së martës.

Lidhur me këtë është i informuar edhe ministri i shëndetësisë Arben Vitia.

“Në momentin kur gjejmë shkelje te tilla janë pastaj procedurat që do të merren në këtë drejtim, dhe unë do te jem vazhdimisht përkrahës i këtyre procedurave dhe normalisht kur janë ndëshkuese për personat e pandërgjegjshëm”, tha ministri Arben Vitia.

Ministri Vitia tha se nuk ka koment tani deri në marrjen e vendimit nga Inspektorati.

Mirëpo inspektimi i urologut nuk mbaroj më kaq. Të hënën, rreth orës 19:00 i njëjti u kontrollua se a është ri-kthyer në QKUK, dhe kësaj radhe u gjet në vendin e punës.

Televizioni Klan Kosova.tv ka kontaktuar urologun në fjalë i cili tha se gjithçka ka qenë në rregull dhe se inspektorët e kanë takuar në QKUK gjatë kujdestarisë.

Lexo edhe:  Qeveria vë një rregull të ri për bizneset "Rent a Car", pronarët protestojnë nesër