Mbijeton mbi 10 ditë pa ngrënë nën rrënoja: Ndodh mrekullia në Turqi, nxirret e gjalle 17 vjeçarja
Një tjetër mrekulli ka ndodhur në Turqi, ku është nxjerrë e gjallë nga rrënojat një vajzë 17-vjeçare, pas plot 248 orësh. E reja u nxor nga rrënojat e pallatit ku ajo banonte në Turqinë juglindore, në zonën e Kayabasi në qytetin e Kahramanmaras.
Aleyna Ölmez u zbulua nga ekipet e shpëtimit, të cilët teksa ishin duke pastruar rrënojat e lëna pas nga tërmeti, dëgjuan papritur një zë, duke i bërë ata që të shpejtojnë në gërmim, nga ku u zbulua se mes tyre ishte një person që ishte ende gjallë, edhe pse diçka e pabesueshme për shkak të orëve të shumta që kanë kaluar që nga rënia e tërmetit.
Ajo u transferua menjëherë në spitalin rajonal të qytetit për marrjen e ndihmës së nevojshme mjekësore, ndërsa mësohet se gjendja e saj është jashtë rrezikut për jetën. Të afërmit e vajzës, por edhe pjesëtarët e tjerë që iu bashkuan ekipeve të shpëtimit u gëzuan tej mase, por kjo nuk i frenoi ata në rinisjen e kërkimeve me shpresën se mos ka ndonjë tjetër person të gjallë./a2cnn