Bëhuni gati për dimrin e vërtetë, meteorologët thonë se java e ardhshme do të jetë më e ftohta
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se java e ardhshme të jetë java më e ftohët deri më tani e këtij dimri.
IHMK-ja ka bërë me dije se gjatë gjithë javës së ardhshme do të ketë ngrica. Me këtë rast, IHMK-ja ka bërë thirrje që të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion të kenë kujdes të shtuar.
“Java e ardhshme ( përveç ditës së hënë), mbi vendin tonë do të ndikohet nga masat e thata të ajrit me origjinë nga pjesa veriore e kontinentit. Këto masa të ajrit do të kushtëzojnë mot të ftohët dhe me temperatura tipike dimërore. Parashihet të jetë java më e ftohët deri më tani e kësaj stine”.
“Gjatë gjithë javës do të ketë ngrica, prandaj pjesëmarrësit në komunikacion duhet të kenë kujdes të shtuar. Gjithashtu apel edhe tregtarëve të cilët merren me importimin dhe shitjen e pemëve dhe perimeve që produktet e tyre t’i ruajnë në vende të përshtatshme, pasi që pothuaj e gjithë java do të jetë me ngrica, si pasojë e temperaturave të ulëta”, është thënë në njoftim.
IHMK-ja ka bërë me dije se temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet -11 deri -5 gradë celsius, ndërsa maksimalet ndërmjet-2 deri 1 gradë celsius.