Gjashtë vjet burg për dy persona, trafikuan një grua me qëllim për ta shfrytëzuar seksualisht

Gjykata Themelore në Gjilan i ka dënuar me tri vjet burg dhe 300 euro gjobë dy të akuzuar me inicialet B.H dhe B.A, për kryerjen e veprës penale; trafikim me njerëz.

Sipas njoftimit të gjykatës, të njëjtit në dy lokacione të ndryshme në një motel dhe një kafeteri e kanë trafikuar një vajzë nga Komuna e Istogut me inicialet A.H, me qëllim për ta shfrytëzuar seksualisht.

“Të pandehurit, gjatë vitit 2021 në bashkëveprim në dy lokacione të ndryshme në Motel në fshatin Domorovc, Komuna Ranilluk dhe në kafeterinë në fshatin Dobërçan, Komuna e Gjilanit, e kanë trafikuar për qëllime të shfrytëzimit seksual të dëmtuarën A. H. nga Komuna e Istogut, duke e ditur gjendjen e saj të rëndë ekonomike-sociale, në atë mënyrë që e njëjta të ofroj shërbime seksuale me pagesë personave të ndryshëm”.

“Me këto veprime, të pandehurit kanë kryer veprën penale trafikim me njerëz, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Trupi gjykues nga Departamenti Krimeve të Rënda, ka shpall aktgjykim dënues ndaj dy të akuzuarve, duke i shqiptuar dënim burgu në kohëzgjatje prej tre vjet (3) dhe gjobë 300 (treqind) Euro, për secilin veç e veç”, thuhet në komunikatën për media.

Palët e pakënaqura kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

Lexo edhe:  Aksidentohet kryeprokurori që u dorëhiq nga Gjykata Speciale