Theret me thikë një nxënës 13-vjeçar në Mitrovicë, Policia e arreston bashkëmoshatarin e tij

Rrahjet e përleshjet mes nxënësve në shkollat fillore e të mesme janë shumë të shpeshta. Drejtoritë shpesh detyrohen të kërkojnë ndihmën e Policisë për të intervenuar në incidente të tilla që ndodhin brenda hapësirave të shkollave. Një rast i tillë dyshohet se ka ndodhur sot në Kqiq të Madh në Mitrovicë, ku disa nxënës të një shkolle fillore janë përfshirë në përleshje, raporton Gazeta Sinjali.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në afërsi të shkollës fillore “Bislim Imeri”, ku një ka sulmuar një tjetër, të cilin e kanë goditur me thikë dhe për pasojë ky i fundit ka marrë lëndime të trupore.

Sinjali mëson se viktima është një 13-vjeçar, i cili është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Mitrovicë. Në anën tjetër posa rasti u denoncua në Polici, njësitë policore kanë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor nxënësin e dyshuar, me ç’rast kanë konfiskuar edhe thikën e përdorur.

I mituri që dyshohet për këtë rast ka dhënë deklaratën e tij para hetuesve dhe pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti ‘Lëndim i lehtë trupor”.

Kujtojmë se përleshjet mes nxënësve janë bërë një dukuri mjaft shqetësuese edhe për prindërit, për shkak të sigurisë në këto institucione arsimore dhe përreth tyre.

Lexo edhe:  Reduktime të rrymës në këto vende për sot