Shërbimi sekret i këtij shteti zbuloi ‘atentatorët’ e Abdixhikut, Hotit, Zemajt e Gashit
Një atentat ndaj kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe tre deputetëve të tjerë, Armend Zemaj, Avdullah Hoti dhe Arben Gashi ishte planifikuar në Kosovë. Tashmë lajmi u konfirmua edhe nga Policia e Kosovës.
Gazeta Insajderi kontaktoi me zëdhënësin e Policisë së Kosovës, Baki Kelani i cili thënë se autoritetet veçse kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm.
“Policia e Kosovës, në këtë rast drejtoria kompetente e PK-së, ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin/kanosjen në fjalë. Të gjitha veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, tha Kelani për Insajderin.
Burimet e Gazeta Insajderi tregojnë se kërcënimi ndaj deputetëve të LDK-së u zbulua nga Shërbimi Sekret i Gjermanisë (BND).
BND-ja gjermane ka rënë në gjurmë të atentatorëve të cilët po planifikonin një atentat direkt ndaj kryetarit të LDK-së dhe deputetëve të kësaj partie.
Po ashtu, këto burime thonë se organet e Gjermanisë kanë njoftuar Policinë e Kosovës për këtë rast.
Këtë fakt e ka konfirmuar edhe nënkryetari i LDK-së Kujtim Shala, ndonëse pa ia përmendur emrin publikisht.
“Mund të konfirmojë se ka pasur një lloj planifikimi në Kosovë dhe disa vende të BE-së dhe jashtë territorit të Evropës. Individët kanë rënë pre e përgjimeve të një vendi të BE-së. Nga ajo që na është thënë ka pasur një plan të strukturuar për atentat ndaj Abdixhikut dhe tre deputetëve të LDK’së”, tha ai për rtvdukagjinin.