Mjekët e QKUK-së realizojnë me sukses një operacion të rrallë te një foshnjë njëjavëshe

Ekipi mjekësor i Klinikës së Kirurgjisë Maksilofaciale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka realizuar me sukses një ndërhyrje kirurgjikale të rrallë te një foshnjë vetëm njëjavëshe, e diagnostikuar me teratomë kongjenitale orofaringo-nazofaringeale (Epignathus), një patologji shumë e rrallë që rrezikon seriozisht frymëmarrjen dhe ushqyerjen.

Sipas njoftimit të QKUK-së, kjo patologji paraqitet në rreth një rast për 35 mijë deri në 200 mijë lindje të gjalla dhe shoqërohet me një shkallë shumë të lartë vdekshmërie, deri në 80-100 për qind, nëse nuk sigurohen me kohë rrugët e frymëmarrjes.

Pas diagnostikimit të hershëm dhe sigurimit emergjent të rrugëve të frymëmarrjes nga ekipi i Klinikës së Neonatologjisë, foshnja iu nënshtrua ekzaminimeve radiologjike dhe vlerësimit multidisiplinar.

Menaxhimi i rastit u realizua nga ekipi i Klinikës së Kirurgjisë Maksilofaciale, në bashkëpunim me ekipet e Neonatologjisë, Anesteziologjisë, Radiologjisë dhe Institutit të Patologjisë.

Operacioni u krye nga ekipi i Kirurgjisë Maksilofaciale, i udhëhequr nga dr. Alban Olluri, me mbështetjen e ekipit të anesteziologëve të udhëhequr nga dr. Agreta Gashi Gecaj.

Sipas QKUK-së, tumori u largua plotësisht, duke u ruajtur maksimalisht strukturat anatomike përreth dhe pa komplikime gjatë operacionit.

“Ecuria postoperative ka qenë shumë e favorshme. Foshnja merr frymë spontanisht, ushqehet normalisht dhe vazhdon të jetë nën përkujdesjen e ekipeve mjekësore”, thuhet në njoftim.

QKUK-ja vlerëson se ky është një ndër rastet më të rëndësishme dhe më të suksesshme të trajtuara në institucion, duke dëshmuar nivelin e lartë të ekspertizës profesionale, bashkëpunimit multidisiplinar dhe kapaciteteve klinike në trajtimin e patologjive të rralla dhe komplekse te foshnjat.

Lexo edhe:  Arrestohet serbi të cilit iu hoq shtetësia kosovare pasi u punësua si polic në Serbi