Pacientes në QKUK i rikthehet dëgjimi pas 18 vitesh, ishte përballur edhe me vështirësi në komunikim
Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK) ka bërë të ditur se në Klinikën e Otorinolaringologjisë (ORL) po realizohen me sukses intervenime kirurgjike në vesh, ku shumë pacientëve u është rikthyer dëgjimi.
Një nga rastet e suksesshme është ai i pacientes R.H. (1981), e cila për 18 vjet është përballur me humbje të rëndë të dëgjimit dhe vështirësi të mëdha në komunikim.
“Pacientja kishte kërkuar trajtim në qendra të ndryshme shëndetësore brenda dhe jashtë vendit, pa arritur përmirësimin e dëshiruar. Pas vlerësimeve të detajuara klinike, ekzaminimeve diagnostike dhe analizës multidisiplinare të rastit, ajo iu nënshtrua me sukses ndërhyrjes kirurgjikale në Klinikën e Otorinolaringologjisë”, thuhet në njoftim.
Operacioni u realizua nga ekipi mjekësor i Klinikës së ORL-së, nën udhëheqjen e doktor Refki Krasniqi, me mbështetjen e ekipit të anesteziologëve të udhëhequr nga doktor Arian Ademi.
Pas trajtimit dhe qëndrimit disa ditor në Klinikën e ORL-së, pacientja është liruar në gjendje të mirë shëndetësore.
“Testet e dëgjimit të realizuara pas operacionit treguan përmirësim të dukshëm të dëgjimit dhe të aftësisë së komunikimit.
Ky rast paraqet një rezultat të rëndësishëm të punës profesionale të ekipit të Klinikës së Otorinolaringologjisë dhe dëshmon për kapacitetet profesionale të QKUK-së në diagnostikimin dhe trajtimin e çrregullimeve të dëgjimit, duke zbatuar metoda bashkëkohore të mjekësisë”, thuhet tutje.

