Në natën e Ramazanit, Halil Kastrati nis edhe 50 shtëpi për nevojtarët
Në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit, humanisti i njohur Halil Kastrati ka dhënë një lajm të madh për 50 familje në nevojë.
Në një postim publik, ai bëri të ditur se sonte në Prizren është vendosur gurthemeli i 50 shtëpive të reja, të cilat do të ndërtohen për familjet që jetojnë në kushte të rënda, shkruan “Jepi zë”.
“50 familje, 50 histori dhimbjeje që do të kthehen në buzëqeshje”, shkruan Kastrati, duke theksuar se me këtë akt ka nisur jetëzimi i memorandumit të bashkëpunimit me Komunën e Prizrenit për realizimin e këtij projekti humanitar.
Ai e cilësoi këtë nismë si një nga veprat më të bukura për ta nisur Ramazanin, duke e quajtur “sadaka rrjedhëse” dhe një ibadet që sjell gëzim në zemrat e nënave dhe fëmijëve që do të marrin çelësat e shtëpive të reja.
“Ky është Ramazani ynë. Ky është misioni ynë”, shprehet ai, ndërsa lutet që Zoti ta pranojë këtë vepër dhe t’i shpërblejë të gjithë bamirësit që kontribuojnë për familjet në nevojë.

