Aktakuzë ndaj mjekut nga Vushtrria, Avdulla Vojvoda, jepte pushime mjekësore për 5 deri në 50 euro

Prokuroria Themelore në Mitrovicë-Departamenti për Krime të Rënda ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ndaj mjekut A.V. nga Vushtrria, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në vazhdim”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se në periudhën nga 20 korriku 2025 deri më 28 tetor 2025, në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Vushtrri, në cilësinë e specialistit të mjekësisë familjare, ka vepruar me dashje me qëllim përfitimi pasuror, raporton lajmi.net, transmeton Periskopi

Ai akuzohet se ka lëshuar raporte mjekësore sipas kërkesës së pacientëve, ndonëse ka qenë në dijeni se ata nuk vuanin nga sëmundjet e përshkruara në dokumente.

Në aktakuzë thuhet se mjeku i ka pyetur pacientët se çfarë diagnoze dëshironin t’u shënohej, në mënyrë që raportet mjekësore të përdoreshin për hapjen e pushimeve mjekësore në kundërshtim me Ligjin e Punës. Po ashtu, ai akuzohet se ka përshkruar barna sipas rekomandimeve të agjentëve farmaceutikë dhe se, pas lëshimit të raporteve mjekësore, ka pranuar përfitime pasurore në vlerë prej 5 deri në 50 euro.

Me ngritjen e aktakuzës, Prokuroria Themelore në Mitrovicë i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor për veprën penale që i vihet në barrë dhe t’i shqiptohet dënimi i paraparë sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës

Lexo edhe:  Fero po shijon ditët e para të martesës, ndan fotografi me gruan e tij të dytë