Rizvanolli paralajmëron vështirësi me energji gjatë dimrit, paralajmëron se çmimi i rrymës mund të rritet

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanoilli ka kërkuar nga deputetët anëtarë të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti që t’i japin votë vazhdimit të masave emergjente në energji edhe për 30 ditë. Këtë thirrje ajo e bëri derisa po vazhdon raportimin para këtij Komisioni.

Rizvanolli tha se ekzekutivi kërkon një shtyrje të dytë meqë sipas saj situata me energji nuk pritet të lehtësohet, por të vështirësohet gjatë muajve të dimrit kur do të ketë edhe ulje temperaturash e do të rritet konsumi.

“Megjithëse gjatë dy javëve të fundit kemi parë ulje të çmimeve në tregun evropian si shkak i uljes së kërkesës për shkak të motit të mirë në Evropë, kjo pritet të jetë e përkohshme dhe pritet që çmimet të vazhdojnë të ngritën”, tha ajo.

Rizvanolli ka përmendur vendimet e qeverisë gjatë kësaj periudhe përfshirë edhe atë për ndalimin e eksportit dhe ri-eksportit të produkteve të drurit përfshirë edhe peletin.

“Kjo ka mundësuar qe të rritet sasia e peletit në treg dhe të evitohet ngritja e mëtejme e çmimit, duke qenë se peleti që ka qenë duke u eksportuar deri në atë moment, tash po e shitet në Kosovë”, tha tutje Rizvanolli.

Tutje ajo ka përmendur edhe vendimin për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, aktivitet që konsumon shumë energji.

“Para dy ditësh kemi pasur një aksion të policisë në veri ku është sekuestruar një sasi e këtyre pajisjeve”, tha ajo.

Lexo edhe:  Tragjike: Një 50-vjeçare gjendet e vdekur te shtëpia e saj në Obiliq