Aksidentohet vetura në Austri që po e drejtonte gruaja nga Kosova, me vete kishte burrin dhe dy fëmijët
Një çift bashkëshortësh dhe dy fëmijët e tyre kanë mbetur të lënduar në një aksident trafiku që ka ndodhur të shtunën, pak para orës 08:00 të mëngjesit, në autostradën A9 Pyhrn, në komunën Spital am Pyhrn, në rrethin e Kirchdorfit, në Austri.
Sipas policisë, shoferja, një grua 39-vjeçare nga Kosova, ishte duke udhëtuar në drejtim të Grazit kur humbi kontrollin mbi automjetin.
Vetura doli nga rruga në anën e djathtë, preku mbrojtësen metalike, u përplas me barrierën ndarëse prej betoni dhe më pas u rrokullis, duke mbetur në fund me rrota përpjetë, shkruan një media austriake.
Përdorues të tjerë të rrugës njoftuan shërbimet emergjente. Të gjithë personat, shoferja, bashkëshorti i saj 49-vjeçar dhe dy fëmijët, të moshës nëntë dhe 15 vjeç, u lënduan dhe u dërguan për trajtim në Klinikën Pyhrn-Eisenwurzen në Kirchdorf.
Për momentin nuk dihet gjendja shëndetësore e tyre.

