Punëtori i OSCE-së arrestohet për ngacmim dhe dhunë psikike ndaj ish-bashkëshortes, i gjendet kallashnikov me 16 fishekë

Një rast serioz i dhunës psikike dhe ngacmimit në kuadër të marrëdhënieve familjare është regjistruar në Prishtinë, ku një punëtor i OSCE-së është arrestuar pas denoncimit nga ish-bashkëshortja e tij.

Ngjarja ka ndodhur më 25.11.2025 rreth orës 09:30 në rrugën “Musa Tolaj”, ku ankuesja me inicialet B.G. ka raportuar se ish-bashkëshorti i saj, me inicialet N.L., e ka ngacmuar vazhdimisht përmes mesazheve dhe komunikimeve në rrjete sociale, duke ushtruar presion dhe dhunë psikike të vazhdueshme.

Pas denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe gjatë intervistimit ka pranuar se posedon një armë zjarri. Njësitë policore kanë realizuar kontroll në banesën e tij, ku janë gjetur dhe sekuestruar një armë automatike e tipit kallashnikov, me prejardhje kineze pa numër serik, si dhe 16 fishekë të kalibrit 7.62 mm.

Lidhur me rastin janë njoftuar hetuesi kujdestar për dhunë në familje, Njësia e Hetimeve të Kryeqytetit dhe NJHP, duke pasur parasysh se i dyshuari është punëtor i OSCE-së. Pas konsultimit me prokurorin kujdestar, është urdhëruar që i dyshuari të lirohet në procedurë të rregullt, ndërsa arma dhe municioni të mbeten të sekuestruara si prova materiale.

Ngjarja është iniciuar si rast i veprës penale “Ngacmim”, ndërsa hetimet janë në vazhdim për të vlerësuar edhe përgjegjësinë penale lidhur me posedimin e paautorizuar të armës.

Lexo edhe:  KFOR-i vizitojnë shtëpinë “Jetimat e Ballkanit”