“Do t’ju mbys të dyjave”, mitrovicasi kërcënon gruan dhe vajzën, përfundon në ndalim

Dhuna në familje po vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste ku ndaj grave ushtrohet dhunë fizike e psikike në forma të ndryshme nga burrat, djemtë, vëllezërit e anëtarët e tjerë të familjes.

Një rast i tillë ka ndodhur të shtunën në Lagjen e Doktorëve në Mitrovicë, ku një person ka kërcënuar bashkëshorten dhe vajzën e tij.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur në orët e pasdites, kur i dyshuari L.B., fillimisht ka marrë vajzën dhe është larguar nga shtëpia dhe posa është kthyer i ka kanosur.

Sipas informacioneve të para, i njëjti i ka kërcënuar me vrasje, duke i shkaktuar shqetësim gruas së tij, e cila edhe është frikësuar se do ta pësojë ajo dhe vajza.

Përballë kësaj situate, viktima u detyrua që të kërkojnë ndihmën e Policisë, duke e raportuar rastin.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.

Ndaj burrit që po dyshohet për dhunë në familje, Prokurori ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit.

 

Lexo edhe:  Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për krime lufte kundër popullatës civile në Gjakovë