“Film, ujë e kroasant” – Ministria e Ekonomisë organizon “party” në orar të punës për Pavarësinë e Shqipërisë
Për shkak të festave të nëntorit, Ministria e Ekonomisë e ka në plan të anashkalojë orarin e punës të mërkurën e ardhshme edhe pse në kalendarin zyrtar të festave nuk është ditë pushimi. ME ka organizuar një ‘event’ në ambientet e ministrisë ku do të transmetohet filmi “Nëntori i dytë”.
Imer Raçi, drejtor i Departamentit për Shërbime të Përgjithshme në Ministrinë e Ekonomisë ka ftuar të gjithë stafin që të marrin pjesë në eventin e organizuar nga Ministria ku pritet të marrë pjesë edhe vetë ministrja në detyrë, Artane Rizvanolli.
I gjithë ky organizim është paraparë të ndodhë në orar të punës, në ora 10:00.
Përmes një emaili zyrtar, Raçi ka dhënë detajet e organizimit, ndërsa iu ka bërë thirrje personave përgjegjës që njoftimin ta shpërndajnë te stafi.
“Ju njoftoj se me datë 26 nëntor në kuadër të festës së 28 nëntorit, ME do e transmetojmë filmin Nëntori i II në sallën e takimeve, ku gjatë këtij transmetimi do të shërbehemi me nga një kafe, ujë dhe kroasant. Filmi do të transmetohet me datë 26 nëntor, në ora 10:00”, thuhet në emailin e siguruar nga Paparaci.
Përpos ftesës për pjesëmarrje, Raçi ka pasur edhe një kërkesë tjetër për punëtorët e ministrisë.
Ai iu ka bërë thirrje punëtorëve që kodi i veshjes të jetë në përshtatje me ngjyrat e flamurit, “kuq e zi”.
“Në fund, pas përfundimit të filmit do të e bëjmë një foto tek flamuri kombëtar mbrapa nesh i cili aktualisht është i vendosur në korridor. Do të jetë bukur që të përshtatim edhe veshjen me ngjyra flamuri”, thuhet në emailin e drejtorit të Departamentit për Shërbime të Përgjithshme në ME.


