Albin Kurti publikon një letër që e kishte dërguar në Gjykaten Speciale me 2022: Ja çka thuhej në të
Kryeministri në detyrë Albin Kurti, në 5 vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së, ka publikuar një letër të cilën ia ka dërguar kryetare së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, shkruan Periskopi.
Mes tjerash, në letër thuhet se ka kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
“Sa i përket lirimit me kusht, kanë kaluar pothuajse dy vjet që nga koha kur të akuzuarit po mbahen në paraburgim. Kjo ka qenë jo vetëm e vështirë për ta, por edhe për familjet e tyre, veçanërisht për bashkëshortet dhe fëmijët e tyre, të cilët nuk kanë mundësi t’i shohin shpesh. Dhe edhe kur munden, procesi i mbledhjes së dokumenteve, aplikimit për vizë, marrja e vizës për vetëm disa ditë dhe fluturimi përmes Vjenës për të arritur në Hagë çdo muaj, vazhdon të jetë jashtëzakonisht i mundimshëm.
Ne besojmë se të akuzuarit mund të kthehen në shtëpi ndërkohë që presin gjykimin, pasi Policia e Kosovës ka garantuar se mund të mbikëqyrë qëndrimin e tyre në arrest shtëpiak, nëse është e nevojshme.
Për ta lehtësuar këtë proces si për familjet, ashtu edhe për të akuzuarit, jam i gatshëm të ofroj garanci shtetërore për lirimin me kusht të të gjithë të akuzuarve”, thuhet mes tjerash në letër
Postimi i plotë:
Menjëherë pasi që kishte vënë lule të freskëta te varri i Astrit Deharit, më 5 nëntor 2020, Rexhep Selimin e dërguan në burgun e Hagës ku ende po e mbajnë.
Përveç tij, edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi po ndodhen në paraburgim tash e pesë vjet. Pesë vite pritje, pesë vite pas hekurave ndërkohë që arsyeja e njëjtë përsëritet në çdo vendim për refuzimin e lirimit: “rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët”.
Por Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj. Dëshmitarë më nuk ka. Nuk ka as arsye ligjore, as morale që të mbahen edhe më tej në paraburgim.
Kështu kam menduar që nga dita e parë. Kemi punuar gjatë dhe me përkushtim për këtë çështje, në heshtje, sepse shpesh puna e mirë bëhet pa zhurmë. Por ndonjëherë puna që nuk shihet, nuk dihet.
Si Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! e si deputet prej vitit 2014 bashkë me Rexhën i patëm paraqitur të gjitha argumentet e qëndrimet për këtë Gjykatë që është sot duke gjykuar.
E si Kryeministër, zyra ime dhe unë kemi kërkuar lirimin e tyre që nga fillimi. Në vijim po bashkëngjes letrën që i është dërguar drejtpërdrejt znj. Trandafilova në lidhje me këtë çështje në shtator të vitit 2022. E bëj publike sot për një arsye të vetme: sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre, dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës. Përgjigja e znj. Trandafilova pas dy javësh që mori letrën nga unë nuk ndryshoi gjë. Kërkesat e paraqitura nuk morën zgjidhje.
Kërkesat tona qëndrojnë akoma, e në Kosovë ekzistojnë të gjitha garancitë për përgjigje pozitive ndaj tyre.

