Ish-ushtari i UÇK-së: Ne s’kishim fasha për plagët, e lëre më të kryenim trafik organesh
Ish-ushtari i Ushtrisë Çlrimitare të Kosovës, Meçan Zotaj ka ndarë një rrëfim se si ishte e organizuar komanda që drejtonte luftën për lirinë e popullit në Kosovë.
Në Terminal të a2cnn, ai po ashtu tha se në kohën e luftës, ushtarët e UÇK nuk kishin mjete për të kuruar plagët e tyre, e jo më për të kryer trafik organesh siç pretendohet në akuzën mbi të cilën u ngrit Gjykata Speciale.
”Gjykata Speciale u ngrit mbi bazën e trafikimit të organeve, gjë që ka qenë shumë absurde edhe vetë kush e ka deklaruar”.
”Ne s’kemi pasur fasha të lidhim plagët e luftës lëre më të bëjmë operacione për trafik organesh. Nuk dua të hyj te strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për mos të ndikuar, të lëmë personat kompetentë të cilët flasin për këtë punë, po unë mund të flas për brigadën që unë kam operuar”.
”Brigada që unë kam operuar ka qenë komandant Rustem Berisha. Unë kam qenë nën komandën e Anton Çunit, ka qenë komandant i njësisë speciale Koshare dhe nën komandën e tij ka qenë Xhemajl Fetahu, komandanti i njësisë të cilën unë kam operuar në forcat komando Delta”.
”Kështu që aty ku unë kam operuar ka qenë një hierarki e rregullt ushtarake”, tha Zotaj.
Sipas tij, nëse do ishte nevoja që të ndërtohej një Gjykatë Speciale për krime lufte pasi ashtu kërkohej, ajo duhej të ndërtohej në Kosovë ashtu sikur shtetet e tjera që e kanë në shtetet e tyre.