Kapet me mbi 5 kg drogë – Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin nga Gjakova

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ka nisur hetimet ndaj një personi me inicialet R.E., i cili u kap një ditë më parë në posedim të sasisë prej mbi 5 kilogramësh lëndë narkotike të dyshuar për marihuanë.

Prokuroria ka dorëzuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit në Gjykatën Themelore të Gjakovës, duke propozuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Gazeta Sinjali ka raportuar ekskluzivisht për rastin, duke mësuar se bëhet fjalë për të dyshuarin Ramiz Emrën ndaj të cilit po zhvillohen hetime për blerje, posedim dhe shpërndarje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Në kërkesën e saj, Prokuroria ka sqaruar: “Ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet R.E., më datë 08.10.2025 rreth orës 06:00 në Gjakovë, me qëllim shitje ka poseduar substanca apo preparate të cilat me ligj janë shpallur si narkotik, në atë mënyrë që gjatë kontrollit dhe bastisjes në shtëpinë e të pandehurit janë gjetur dhe sekuestruar 5 kg e 43 gram substancë narkotike e dyshuar për marihuanë.”

Më tej në njoftim thuhet: “Me këto veprime formohet dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale, blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.”

I dyshuari R.E. ndodhet aktualisht nën masën e ndalimit prej 48 orësh me vendim të Prokurorit të Shtetit.

Lexo edhe:  S'ka paga: Minatorët e Trepçës hynë sërish në grevë