Pjesëtarja e FSK-së tenton t’i jap fund jetës, shkak dhuna psikike nga bashkëshorti
Numri i madh i rasteve të tentim vetëvrasjeve gjithandej vendit është mjaft shqetësues. Pothuajse çdo ditë, qytetarë të moshave të ndryshme tentojnë të vetëvriten qoftë përmes konsumimit të medikamenteve, preparateve kimike, apo edhe formave të tjera. Familjet janë ato që i përjetojnë jashtëzakonisht rëndë këto raste dhe shpesh janë me fat kur arrijnë t’i shpëtojnë familjarët.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe të premten në Gadime të Ulët të Lipjanit, por këtë herë viktimë është një pjesëtare e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e moshës 37-vjeçare, e cila ka tentuar t’i jap fund jetës duke konsumuar preparate kimike.
Gjithçka dyshohet se ndodhi pasditen e djeshme në një shëtitore të fshatit, kur një koleg i saj e njoftoi familjen dhe Policinë, me ç’rast në vendin e ngjarjes dolën njësitet policore dhe autoambulanca.
Burimet e Sinjalit nga Prokuroria bëjnë me dije se motivi që dyshohet se e ka shtyrë viktimën për të tentuar t’i jap fund jetës është dhuna psikike që bashkëshorti dyshohet se ka ushtruar ndaj saj.
Pas mbledhjes së informacioneve të para, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve në drejtim të veprave penale si “Vrasje në tentativë” dhe “Dhunë në familje”, në mënyrë që të zbardhen në plotni rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja.