Skandaloze: Shoferi i autobusit refuzon ta marrë Burhan Kurteshin vetëm pse është me karrocë

Një rast i rëndë diskriminimi është denoncuar publikisht nga qytetari Burhan Bekteshi, përdorues i karrocës invalidore dhe i transportit publik në Shkup. Ai ka ngritur një ankesë të hapur ndaj shoferit të linjës nr. 19 (Shkup – Shuto Orizare – Vizbeg), i cili, sipas tij, në mënyrë të përsëritur ka refuzuar ta marrë në autobus, vetëm për shkak të gjendjes së tij fizike.

Bekteshi thotë se nuk bëhet fjalë për një incident të izoluar, por për një sjellje të vazhdueshme diskriminuese nga i njëjti shofer, që përveç refuzimit për ta transportuar, ka shkuar deri në kërcënime verbale dhe fyerje.

“Kam mbetur në rrugë në shi e diell. Kam humbur orarin e punës disa herë. Jam vënë në rrezik të humb vendin e punës vetëm për fajin e këtij shoferi të papërgjegjshëm,” ka theksuar ai në apelin e tij.
Për Bekteshin, kjo nuk është vetëm një çështje personale, por një shkelje e rëndë e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara dhe një sinjal alarmi për gjithë shoqërinë.

Ai i bën thirrje Ndërmarrjes Publike të Transportit në Shkup dhe institucioneve përgjegjëse që të marrin masa urgjente, duke kërkuar:

Pezullimin ose përjashtimin nga puna të shoferit në fjalë, për t’u dhënë fund sjelljeve diskriminuese ndaj qytetarëve në karrocë;
Vendosjen e mekanizmave mbrojtës për personat me aftësi të kufizuara, që përdorin transportin publik;
Ndërhyrje institucionale, për të garantuar respektimin e të drejtave themelore të çdo qytetari.
“Unë ndjehem më pak se një qytetar, më pak se një njeri, më pak se një qen i rrugës,” shkruan me dhimbje Bekteshi, duke shtuar se kjo është më shumë se një ankesë – është një thirrje për drejtësi.

Lexo edhe:  Parashikimi i motit për sot dhe gjatë ditëve në vijim

Apeli i tij po shpërndahet në rrjetet sociale dhe ka nisur të zgjojë reagime të forta nga opinioni publik, duke rikthyer në vëmendje trajtimin e pabarabartë të personave me aftësi të kufizuara në shërbimet publike të qytetit.