Skënderaj: Vandalizohet xhamia në fshatin Rrezallë
Këshilli i Bashkësisë Islame në Skënderaj ka reaguar me shqetësim të thellë pas vandalizimit të xhamisë në fshatin Rrezallë. Sipas njoftimit, autorët kanë dëmtuar një pjesë anësore të objektit dhe në mënyrë tinzare kanë vjedhur edhe arkën e xhamisë.
Ky akt është cilësuar si një sulm i drejtpërdrejtë ndaj një objekti të shenjtë, i cili përveç dëmit material, përbën edhe një goditje të rëndë shpirtërore për besimtarët dhe komunitetin. “Vandalizma të tilla, sidomos ndaj objekteve fetare, janë të papranueshme, bien ndesh me vlerat themelore të shoqërisë sonë dhe krijojnë ndjenjën e pasigurisë”, ka theksuar Këshilli.
Nga institucionet kompetente është kërkuar që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbardhjen e rastit dhe që autorët e këtij akti të rëndë të dalin para drejtësisë.