E rëndë: Kjo është viktima e aksidentit tragjik me 6 vetura në Komoran
Një aksident i rëndë komunikacioni, i ndodhur mbrëmjen e sotme rreth orës 18:15 në Rrugën Nacionale Pejë–Prishtinë, në Komoran, ka marrë jetën e Mirvedete Sukës, 62-vjeçare.
Në përplasjen zinxhir, ku u përfshinë gjashtë automjete, përveç viktimës që humbi jetën në vend, tetë persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore dhe po marrin trajtim në QKUK, Prishtinë.
Sipas të dhënave të para, aksidenti dyshohet se ndodhi si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë, duke shkaktuar përplasje të njëpasnjëshme në qendër të Komoranit.
Njësitë policore dhe ato të hetimeve dolën menjëherë në vendngjarje, së bashku me Prokurorin Kujdestar, kompaninë për mirëmbajtjen e autostradës dhe ekipet për tërheqjen e automjeteve.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa personi i dyshuar, pas trajtimit mjekësor, është ndaluar për 48 orë.