Kapet me 113 km/h në zonë 60, gjobitet mërgimtari – rasti i dërgohet autoriteteve zvicerane

Policia ka dënuar një mërgimtar për tejkalim të shpejtësisë në rrugën Gjilan-Kamenicë.

Sipas njoftimit zyrtar, në një zonë ku kufizimi i shpejtësisë është i përcaktuar me shenjë trafiku në 60 km/h, drejtuesi i automjetit është kapur duke vozitur me 113 km/h.

Bëhet e ditur se ndaj tij, i cili posedon patentë-shofer të lëshuar nga autoritetet zvicerane, është shqiptuar gjobë për kundërvajtje në vlerë prej 300 euro, si dhe masa mbrojtëse e ndalimit për drejtimin e mjeteve motorike në territorin e Republikës së Kosovës për një periudhë prej tre muajsh.

“Duke u bazuar në marrëveshjen ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit zviceran për bashkëpunim në trajtimin e kundërvajtjeve të kryera nga shtetasit përkatës në territorin e shtetit tjetër, gjoba e shqiptuar do të përcillet për njoftim tek autoritetet kompetente në Zvicër, sipas marrëveshjes”, thuhet në njoftimi.

Lexo edhe:  Aksident zingjiror në Veternik, përfshihen tri vetura