“Zhvatja” e vitit/Kompania “NOA” vitin e kaluar inkasoi mbi 195 milionë € dhe fitoi rreth 10 milionë € neto në Kosovë

Mbi 195 milionë euro qarkullim dhe rreth 10 milionë euro fitim të pastër ka siguruar gjatë vitit 2024 kompania me vetëm 2 punëtorë e oligarkut nga Shqipëria, Gentian Sula, Noa Energy Trade, nga biznesi me energji elektrike në Kosovë, raporton portali FrontOnline.

Kompania e biznesmenit Sula, bazuar në dokumentet zyrtare të institucioneve kosoare, renditet në krye të listës së top kompanive kosovare, e cila ka qarkullimin dhe fitimin më të lartë, ndonëse ka numrin më të vogël të punësuarve (2) dhe funksionon në një apartament në Lagjen “Dardania” në Prishtinë.

Për vetëm 3 vite, qarkullimi i përgjithshëm i kompanisë “NOA” në Kosovë ka arritur në rreth 400 milionë euro.

Ky qarkullim qindra milionësh i është mundësuar kompanisë “NOA” nga furnizimi me energji elektrike, pasi që kompania kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka përzgjedhur kompaninë e oligarkut Sula gati në të gjitha rastet e importeve gjatë vitit 2024.

NOA për 3 vite të funksionimit në Kosovë rreth 400 milionë € qarkullim

“Noa Energy Trade” ka hyrë në tregun e Kosovës në vitin 2022, me ç’rast vetëm për tri vitet e operimit në Kosovë ka realizuar qarkullim prej mbi 391 milionë euro.

Në bazë të raporteve financiare të siguruara nga “FrontOnline” shihet se NOA në vitin 2022 ka realizuar qarkullim vjetor në vlerë prej 54 milionë eurove.

Në vitin 2023 qarkullimi i kësaj kompanie “fluturoi” në rreth 142 milionë euro, përderisa kulminacionin e shënoi gjatë vitit 2024 duke arritur rekordin e qarkullimit prej rreth 195 milionë euro, raporton portali FrontOnline.

Portali “Buletini ekonomik” javë më parë ka raportuar se gjatë muajit shtator 2024, një megavat-orë energji elektrike, e ardhur përmes kompanisë “Noa Energy Trade” i ka kushtuar KESCO-s mesatarisht 345.33 euro. Kjo është për 225 për qind më shumë se mesatarja mujore në bursën hungareze HUPX, ku çmimi i një megavati në të njëjtin muaj është 106.11 euro.

Në përgjithësi, çmimet që aplikoi kompania nga Tirana “Noa Energy Trade” për importet e Kosovës në vitin 2024, ishin herë dyfish e herë trefish më të larta se çmimi zyrtar i energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare.

Ndërsa, sipas Buletinit, deri në 800 euro i ka kushtuar KESCO-s për ta sjellë një megavat energji elektrike në Kosovë përmes kompanisë “Noa Energy Trade”, gjatë vitit 2024, pa përfshirë këtu ende çmimin e energjisë elektrike.

 

Hykmete Bajrami: Faktet ngrenë dyshime se pushteti është i lidhur me mafian energjetike

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, në një prononcim për Front Online, marrë parasysh shifrat e qarkullimit të kompanisë “Noa Energy Trade”, thotë se mafia energjetike po e ndihmonë që NOA të ketë monopol.

‘’NOA nuk është fenomen i izoluar, unë dyshoj se NOA është një nga përfituesit që mafia energjetike e ndihmon ose e toleron që të ketë monopol në tregun e energjisë elektrike’’, thotë ajo.

Lexo edhe:  Kosovari bëhet hero në Gjermani, shpëton jetën e një një tre vjeçare në pishinë

Deputetja Bajrami thekson se përgjegjës për këtë situatë janë institucionet që sipas saj kanë dështuar ose qëllimisht nuk kanë vepruar për të ruajtur konkurrencën e lirë në treg.

Ajo përmend Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), KOSTT-in dhe Ministrinë e Ekonomisë si institucione që kanë lejuar, madje edhe ndihmuar NOA-n të zgjerojë ndikimin e saj.

‘’Sikur KOSTT, ZRRE dhe më pas Ministria e Ekonomisë të kryenin punën e tyre, në tregun ku janë mbi 20 tregtarë të energjisë të licencuar nga ZRRE, nuk do të kishim një dominim të tregut nga ana e NOA-s. Tani këto organe shtetërore jo vetëm që nuk e kanë penguar, por dyshimet janë se edhe e kanë ndihmuar NOA-n, sepse në shumicën e rasteve të importit të energjisë është anashkaluar rregullorja e KOSTT-it për tregtim të energjisë, e cila kërkon që energjia ose të blihet në bursa ku procedura është tepër transparente, ose të blihet në ankand dhe jo, siç është raportuar në shumicën e rasteve, importuesit e energjisë si KEK, KESCO dhe KEDS blejnë energji drejtpërdrejt nga NOA, duke anashkaluar ankandin dhe bursën, rrjedhimisht në kundërshtim me rregulloren’’, ka thënë Bajrami për Front Online.

Deputetja Bajrami thotë se dyshimet për lidhje nga pushteti me NOA-n, forcohen me faktin se deri më tani nuk ka asnjë deklaratë të asnjë zyrtari lidhur me monopolizimin e tregut nga kjo kompani.

‘’Fakti se nuk ka ende asnjë deklaratë nga asnjë zyrtar i qeverisë lidhur me monopolizimin e tregut të energjisë nga ana e NOA-s, krijon hapësirë dyshimi se janë të përfshirë. Duhet cekur se monopolizimi i tregut nga ana e NOA-s i kushton xhepit të secilit qytetar, qarkullimi dhe fitimi i NOA-s janë para të qytetarëve që paguhen në baza mujore me fatura të energjisë’’, thotë Bajrami.

‘’NOA përveç se është shndërruar në tregtar të pa konkurrentë të energjisë elektrike për pushtetin, ka qenë edhe fitues i ankandit ditor me çmim transporti të energjisë deri në 800 Euro për MËh. Për më tepër ekzistojnë të dhëna që tregojnë se importin e bën në bashkëpunim me EFT-në e Vuk Hamoviçit, kompani e cila fiton transport të energjisë elektrike nga Maqedonia si dhe nga Mali i Zi, as për këtë fenomen nuk kemi parë asnjë reagim nga KOSTT, ZRRE apo Kryeministri’’.

Sipas deputetes Bajrami të gjitha faktet e përmendura për lidhjet e kompanisë NOA me akterët dhe institucionet, ngrenë dyshime se pushteti janë pjesë e skemës apo mafias energjetike që po e shkatërron vendin.

Ajo thotë se të gjitha këto fakte janë arsye që kanë kërkuar nga Prokuroria Speciale që të hetohet ky zinxhir.

‘’Kur kësaj i shtojmë faktin se Albin Kurti ka pajisur me nënshtetësi dhe me tabela diplomatike për 24h Martin Berishajn dhe kemi aktakuzë të konfirmuar për Nagip Krasniqin, ish kryeshefin e KEK-ut – ish-kryesuesin e Komitetit për Energji në LVV, krejt kjo bëhet e qartë. Pra, këta nuk janë indiferentë ndaj ”fenomenit” siç e quani ju, faktet ngrenë dyshime që këta janë pjesë e skemës, pjesë e mafies energjetike që po e shkatërron këtë vend, andaj edhe kemi kërkuar nga Prokuroria Speciale që të hetohet krejt zinxhiri vendimmarrës dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë’’, ka thënë për Front Online deputetja Bajrami.

Lexo edhe:  U kap duke kryer vjedhje, arrestohet 33 vjeçari në Obiliq

 

Ferat Shala: Qeveria ‘’Kurti’’ e lidhur me aferën korruptive të NOA-s

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK, Ferat Shala ka ngritur sërish alarmin për përfshirjen e thellë të Qeverisë në afera korruptive, veçanërisht në sektorin e energjisë.

Marrë parasysh shifrat e qarkullimit dhe operimin me vetëm dy punëtorë të kompanisë NOA, Shala thotë se është indikacion i qartë se Qeveria është e lidhur në këtë aferë korruptive.

“Për me vepru, ekzistu, dhe me qarkullu deri ne 400 milionë euro brenda një mandati qeverisës, një kompani me dy punëtorë, 100 % duhet të jetë e afërt e lidhur drejtpërdrejtë apo pjesë e skenarëve të nivelit me të lartë qeveritar, ndryshe nuk ka mundësi as logjikë që të veproje një kompani e tillë dhe Qeveria tash e sa vite të heshtë, para kësaj afere të madhe korruptive”, tha ai për Front Online.

Shala thotë se Qeveria ‘’Kurti’’ ka qenë e involvuar 100% në të gjitha aferat korruptive të energjisë.

“Kur i shtojmë kësaj vetëdijshëm që Qeveria ka qenë e involvuar 100%, në gjitha aferat korruptive të energjisë nga linjat e prodhimit deri tek linjat e tregtimit, atëherë kjo veç e dokumenton pretendimin e Partisë Demokratike, që Qeveria është jashtëzakonisht e zhytur në afera të mëdha korruptive në sektorin e energjisë”, tha Shala.

Deputeti Shala thotë se shpreson që përgjegjësit do të përballen me ligjin ngase siç tha ai aferat tashmë kanë adresë.

“Unë besoj dhe shpresoj, dua të besoj në drejtësi dhe shpresoj por është e habitshme se si ka mundësi që qeveria nuk ka asnjë prononcim as sqarues, as informues për gjitha këto afera. Unë besoj përsëri që aferat korruptive në sektorin e energjisë, Kosova edhe pse po i paguan shumë shtrenjtë, një ditë herët a vonë, do të përgjigjen akterët, atëherë tashmë kanë adresë’’, tha Shala për Front Online.

 

Gazetari Dakaj: NOA është perde mbulesë, mbrapa qëndron mafia energjetike në krye me Vuk Hamoviqin

Gazetari Shkëlzen Dakajt, pronar i gazetës Infokus, thotë se lidhjet e Gentian Sulo, pronari i kompanisë “Noa Energy Trade”  shkojnë shumë më thellë se sa një biznesmen në tregtinë e energjisë.

Sipas tij, nga ajo që kanë hulumtuar në vazhdimësi del se Sulo ka pasur lidhje me ambasadorin Martin Berishaj dhe përfaqësuesit e kompanisë EFT të Vuk Hamoviqit në Shqipëri.

Lexo edhe:  Arrestimi i ish-asistentit të Kurtit, reagon kompania: Hyrja është falas, theu barrikadën

‘’Gentian Sulo, pronari i kompanisë “Noa Energy Trade” që tregtoi qindra miliona euro energji elektrike për 4-5 vite në Kosovë, është e faktuar tashmë se ka lidhje të ngushta dhe familjare me përfaqësuesit e kompanisë EFT të Vuk Hamoviqit në Shqipëri. Pra, lidhje të fuqishme dhe direkte me kokën e mafies energjetike në Ballkan. Kjo kompani u shfaq në skenë në Kosovë në fillim të vitit 2021’’, tha Dakaj.

Lidhje të forta, sipas tij, ai mban edhe me Dejona Mihalin

Sipas dokumenteve që kemi hulumtuar dhe kemi raportuar në vazhdimësi, në fillim Sulo duket se ka pasur lidhje me Martin Berishajn, ambasadorin e Kosovës që tashmë është i njohur për lidhjet e tij me kompaninë GEN në Beograd. Por nuk ndalet me kaq. Gentian Sulo flitet se mban lidhje të forta edhe me figura të tjera brenda Vetëvendosjes, ndër më të afërtat me Dejona Mihalin.

Zanafilla e këtyre skemave, sipas Dakaj,  duket që ka historinë nga pushimet e famshme të kryeministrit Albin Kurti në Greqi, në qershor të vitit 2021, në hotelin super luksoz Grand Resort Lagonissi.

‘’Në atë kohë kemi pasur informacione, por nuk e besonim, se pikërisht aty janë takuar të gjithë kokat e mafias energjetike, këta që dolën në skenë pastaj të përfshirë në skemat korruptive nga dështimet në prodhim të energjisë elektrike nga KEK, importi me çmime marramendëse e deri të kosto e transportit e rritja e çmimit të energjisë’’, ka thënë Dakaj për Front Online.

Në qendër të gjithë kësaj skeme, Dakaj përmend Sulosin si ideator të planeve për furnizimin e energjisë me çmime të larta, ndërsa Kurti, sipas tij, ka takuar krerët e rrjetit energjetik në këmbim të premtimeve për lobim për njohje nga Greqia.

‘’Në këto takime në Greqi, krahas Martin Berishajt, ishte edhe Nagip Krasniqi, kryeshefi i atëhershëm i KEK-ut, që më vonë u arrestua. Të dy sot janë nën hetime për keqpërdorime milionëshe. Por e kam thënë edhe më herët: NOA e Gentian Sulos është vetëm një perde. Një mbulesë për të mos u parë EFT-ja e Vuk Hamoviqit. Në fakt, rreth 1 miliard euro për 5 vite që janë paguar për import të energjisë, abuzimet me termocentralet e KEK-ut, prishjen e marrëveshjes me KESH-in në Shqipëri dhe kosto absurde për transportin e energjisë, janë të gjitha pjesë e një skeme të ndërtuar nga mafia energjetike e Ballkanit, me Hamoviqin në krye’’, tha Dakaj për Front Online.

Përndryshe, në Shqipëri, “Noa Energy Trade” funksionon si kompani që merret me tregtim të energjisë elektrike që nga viti 2014. Është e njohur për kontrata me Korporatën Elektro-Energjetike Shqiptare (KESH).

Përfaqësues i autorizuar për Kosovë është Gentian Sula, një biznesmen nga Shqipëria, i njohur më shumë si drejtues i një kompanie të sigurimeve në Shqipëri.