Instituti kërkoi kohë shtesë për ekzaminim psikiatrik të Naim Murselit, anulohen dy seanca
Dy seanca të planifikuara në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, janë anuluar për shkak se Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka kërkuar kohë shtesë për ekzaminimin psikiatrik të të akuzuarit Murseli.
Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka kërkuar kohë shtesë për ekspertim. Trupi gjykues ka vendosur të zgjasë afatin për ekspertimin e të akuzuarit Naim Murseli”, konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” gjykatësja Fatime Dermaku.
Kështu, seancat e planifikuara për 2 dhe 9 korrik 2025, janë anuluar.
Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.